[vc_row][vc_column][vc_column_text]

ORKESTRIM MAGJIK I NGJYRËS

Figura e këtij piktori tashmë,si profil krijues është e pozicionuar nëpër lëngje rrëfimtare të koloritit piktoresk. Vizitorët e punimeve me tabllo të përfunduara, fakti i miradishëm se hapsira krijuese e këtij piktori do të mbjellet në kujtesë si shumësi vlerash pa dyshim priten të dendura dhe me itenzitet  afirmativ .
Prirja postmoderne e pikturimit të Gembit mrekullohet me impresion optimal. Andaj krejt çfar duhet të bën ky krijues me intimen e ngjyrave të qeta, ose edhe ato që spërkasin të ndezura me zjarr, është shprehia me dashurinë e punës te vetëdishme për artin pamor.

Xajë Nura – Shkrimtar


PIKTORI PROTESTUES

Edhe një piktor të ri gjakovar e njoha para tre apo katër muaj Gembi Xërxen, me ç`rast biseduam për pikturën, artin, galerinë, por nuk mungonin edhe trajtimi i temave sociale e shumë të tjera që janë preokupimi i ynë në Kosovë. Trajtimi i këtyre temave të sjellin mosknaqësi e shpeshë herë edhe pesimizëm  te secili prej nesh, ndërsa te pikturat e Gembit zbulojmë një dozë surealizmi një llojë shkarkimi figurativ, njerëzit duke fluturuar e të frustruar me qëllim të një kryengritjeje.

Në disa piktura tjera të autorit ka filluar të kërkojë vizën, prepektiven dhe strukturën, dhe  shohim një cikël tjetër të pikturimit, të frymëzuar nga punimet që i përngjajnë objekteve, duke filluar nga makinat, dhe veglat. Objektet kan format e pa qarta (të trubullta) dhe janë shprehura në lëvizje me një shpejtësi relativisht të madhe. Tendenca e piktorit për ti vënë objektet në lëvizje, ai na jep mundësinë për të konkluduar se bënë pjesë në grupin e piktorëve që i përkasin futurizmit.

Duke e inkurajuar piktorin për punën e bër gjerë më tani dhe guximin e tij autorial për të hapur ekspozitë personale me mesazhet që i përmendem më lart, kërkojë nga piktori që kjo ekspozitë të jetë frymëzim për një angazhim të vazhdueshëm në kërkimin të pikturës së tij, e cila për të ardhmen do të jetë premtuese për suksesin e pa mohushëm të Gembit.

Prishtinë, 11.01.2008                                                                                
Kamuran GORANCI
Magjistër i Pikturës


LIRIMI NGA LIDHSHMËRIA

Gembi Xërxa përmes ngjyrave dhe formave multi-dimensionale kërkon të bukurën e fshehur në perspektivat më misterioze të jetës, duke i gërshetuar të vërtetat e sofistikuara me një stil post-modern dhe futuristik.

Ky krijues i së tashmes dhe i së ardhmes me veprimtarinë e tij thyen barikadat ndërmjet realitetit dhe ëndrrës duke i dhuruar audiencës një pafundësi të përhershme në kujtesat e tyre.

Gembi asnjëherë s’mundi të largohet nga pasioni i “të qenit i lirë”

Duke i lënë të lira në mënyrë absolute ndjenjat, perceptimet, idetë dhe kreativitetin, ai dukshëm distancohet nga rregullat dhe panatyrshmëria e konceptit artistik dhe formon një vetëdije “të lirë” dhe “ të lëvizshme” e që reflektohet në shumicën e punimeve të tija.

Në çdo pikturë të këtij piktori shihet një ndryshim dhe risi estetike që karakterizohen me një spektër dinamik të ngjyrave, formave, vijave, horizonteve…Kjo edhe është një indikator që artisti Gembi Xerxa do të jetë njëri ndër krijuesit më të veçantë në të ardhmen…

Gjakush Çapari

GEMBI XERXA

Krijuesi Gembi Xërxa, në synimet e tij, në kompletin e pikturave në përgjithësi dhe në një pikturë-vepër në veçanti, me aftësinë e tij krijuese dhe talentin sa natyror aq edhe të kultivuar me punë, e me vullnet krejt të lire, mund të zgjedhë pafundësinë e formave të larmishme përkatëse të tri llojeve të siperfaqeve hapësinore. Kështu me një përkushtim prej talenti ai ka paraqitur sipërfaqet cilindrike, sipërfaqet konike si dhe sipërfaqet hapësinore te rrotullimit.

Pikërisht, me paraqitjen e këtyre tri hapësirave, Gembi del si një krijues i veçantë në artin pamor, e kuptohet me stil vetanak. Lirisht dhe me përgjegjësi mund te them se Gembi ka zgjedhur atë qe i flen në fantazinë e tij krijuese, madje edhe me një fantazi te qartur e cila dallohet si e qëndrueshme në përkufizimin e këtyre tri sipërfaqeve.

Veprat e paraqitura në këto tri sipërfaqe piktori i përshkon me një fantazi artistike përplot ngjyra të vendosura me përpikëri dhe me një estetikë domethënëse. Poashtu shikuesi i vëmendshëm, në këtë fantazi krijuese të Gemb Xërxës, dallon lindjen, shtrirjen dhe zhvillimin e këtyre tri sipërfaqeve. E veçanta e kësaj krijimtarije trilogjike qëndron në faktin se ato nuk janë statike por në lëvizje. Këtu qëndron edhe ajo dialektika të cilën me brushë, me ngjyra, në bazë, na vë përpara artistin Gembi, e neve na nxitë kurreshtjen intelektuale për komentimin e tyre.

Kompozimi i veprave të Gembit është mbështetur në njehësime. Në këtë rast, piktori me intuitë të mirëmenduar, me shkathtësinë e mprehtë, me dorën e shkathtë në perdorimin e brushes, me harmoninë-koloritin e ngjyrave dhe me të gjitha karakteristikat formale e permbajtësore, krijimtarinë e tij e vë në pozicion të duhur.

Në krijimtarinë e Gemb Xërxës, fal shprehjeve të tij natyrore dhe atyre të fituara me një punë të vullnetshme dhe të qëndrueshme, lind përshtypja se artisti ia ka arritur besimit, syprehtësisë si dhe forcës ndarëse, në këtë rast “rebele”.

E kështu së fundi mund të them se kjo i ka hije dhe del e bukur te Gembi. I uroj suksese në ekspozita të tilla.

Erzen Vala
Piktor
Kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ, Gjakovë

KAOS DHE RRËMUJË FORMASH

Tablotë e piktorit Gemb Xërxa janë përplot tension, tension të hapur i cili motërzonë nga koncepti dhe stili që sjellin tek artdashësi shqisën estetike nën ndjesinë e magjikes. Figurat janë poetike të një bote përplot fshehtësi (kjo më shumë fshihet prapa formës), një rizbulim arti me një përqasje estetike tokë me atë që jeton dhe atë që e krijon, një simetri, baraspeshë ndërmjet bukurisë (reale të shpirtit që vetëkuptohet) dhe shpejtësisë (sikur te futuristët), e krejt kjo nën gërshetimin estetikë mbi lëvizjen, peshën dhe materien. Nuk lodhem së sodituri “Kaosin”, ku ngjyrat bëhen mbret i lojës, imazhit dhe bukurisë. Një imazh i përhumbur, plotë zhurmë, sugjestiv, imagjinativ, jo i frikshëm, pak dramatik, dikund edhe tragjik, por e veçanta ngrihet mbi mbretërinë e ngjyrave dhe përplasjes së formave, dhe vetëm piktura në kanavacë mund të krijoj kësisoj realitetesh (realitetesh nga imagjinata dhe objektivja). Ja kaosi i zhurmshëm ku dergjen forma të diversitetit asimetrik, ku gllabëron një galaksi me elemente të jetës me bimë të njoma, të brishta, të rreshkura me lëngë e pa lëngë, thjeshtë është një element jete, nga toka në mbi tokë, por kjo edhe niset nga vetja në një tejkalim. Kjo tokë dhe mbi të duket një qiell në kompozicion sa i qetë me të verdhën, dhe sa i trazuar, aq edhe i bukur, i cili në vete bart një planet tjetër përtej ëndërrores dikund thellë në shtigjet abstrakte, atje ku forma ka pikënisje dhe në zbrazje krijon pakuptimësi, e që ne esencë lind relieve të kuptimta reale shpirtërore.

Fati i parathënë

Vetëm fuqia e shpirtit krijon njohje edhe identifikim.  Kjo brishtësi, ky abtraksion bëhet copë e çikë në  telajo tjera, ku njerëzimi, toka dhe uji pjellin zjarre plotë gjemba në udhëkryqe parregullsi nga e cila lind krijimi, universi dhe në fund njeriu, dhe ky njeri prapë kërkon arsyen në mes shtrëngatës dhe furtunës, mes shigjetave, shpatave, shkretëtirës së frikshme, dhe dikund nga hapësirat qarkohen zjarret, magma dhe energjia e tij. Ja edhe një kaos tjetër i zhytur krejt në forma  çudake, me denduri çukërmimesh të forta të brushës, të ngopura me bojë, derdhen drejt hapësirës të tejmbushur me plotë vrullime, dimensione, përmasa që krijon konflikt mbi njëra tjetrën, një kaos (ngufatje), veç fare mirë ndjehet guximi dhe qëndrueshmëria e formës (në planë të parë). Është një betejë e vërtetë, e afërt si situatë dhe shpështjellim i formës herë në lëvizje në të majtë të kanavacës herë në të djathtë, sa lartë dhe poshtë, por prapë një luftë rreth unit, një ndeshje, ndonëse aksidentale nga fati i parathënë, ose tek lënda e parë që është shpirti i njësuar pastaj në formë. Këto janë përjetime të piktorit të sublimuara në vija, ngjyra, përmasa, ndjenja, ide dhe realitete.

Diçka kanë nga kozmosi të gjitha këto, nga kozmosi në tokë, ose nga toka (e cila mbas imagjinatës qe kozmos), fantazi drejt shkretëtirave të panjohura, e kjo na dërgon në asimetri, humbje të balancit, rregullim drejt abstraktes. Në këtë kozmos artisti krijon qiej të ri e yllësish , ka pak nga zjarri i shpirtit njerëzor, që etshëm vetëdigjet pafundësisht për arritje të përhumbjes në një fundësi krijimesh. Ky zjarr është i brendësisë së tij, pa shumë fjalë, shpesh i vetmuar, i lodhur nga rëndomësitë e jetës, të cilat i shpie në çorientim,  sepse aty kanë zanafillën. Fantazinë artisti nuk e shprehë vetëm nga befasitë spontane të formave ose nga loja e ngjyrave ku hapësirën gjithnjë e lë me një ngjyrë (pothuajse një nuancë), por edhe nga realiteti pjellor fantastik që nxjerr ëndërrime (në thellësi të subjektit), dhe si renditje hapësirash antropologjike, herë drejt të njohurës e herë të panjohurës. Fantazia këtu bënë një tejkalim dhe rikthim drejt identifikimit të vetvetes, tashmë të portretizuar nga një ide e rëndomësisë jetësore ose poetike, që është lehtësisht e kapshme. Vini re! Në mes të kompozicionit ca forma të vogla të vërsulura njëra mbi tjetrën, të mprehta, si maje të thikës, gurë cilindrikë, shpërthim, hekurishte, meteor që bien nga qielli, ndërsa lart vrushkuj të verdhë qiellorë bien drejt si dëborë, shiu i akullt, e në fundësi, një brymë e verdhë ka zaptuar malet. Pra, ngjyrat sa bëhen të ngrohta e sa të ftohta, shpërthim dhe vetëm shpërthim, aty në perspektivë kemi një qetësim, thjeshtë është bigëzim nën lojën logjike të së mundshmes. Kur piktura thërret për bashkëdyzim, ajo mesiguri bart në vete mendimin estetik, ujit farën e zgjidhjeve, por si duket, artisti këtë vetëm e vë në përkufizim dhe formë, sepse aty kërkon që ne të nuhasim idenë estetike dhe zgjidhjen.

Loja me ngjyra

Në artin e tij nuk shohë vetëm gjendje, lojë ngjyrash, harmoni, proporcione, por energji krijuese të çiftëzuar me kuptimësi, lexim social, ekonomik, në fund real. Përkundrazi, idetë e tij janë ekzistenciale brenda shpirtrave, hapin shtigjet e tejkalimit ekonomik, pastaj i kthehet rrugëtimit fatal të vetë qenies e cila rrodhi nga ky rregullim. Si mund të jetë e rregullt? ADN-ja e saj është absolute në këtë rrëmujë formash. Këtë e gjejmë në ngjyrë, situatë, energji, proporcione, në shpërthime dhe në qëndisma në kohëzgjatje sepse teknika kërkon gdhendje të ngjyrës, pastaj spontaniths përfitimin e nuancës dhe formës, ai gdhend derisa përfundon idenë për punimin. Vërejmë trajtën e asociacionit piktorik me lëvizje të furishme të brushës dikund të krijuara me lehtësi dhe trashësi të ngjyrës, të kontrolluara, pastaj të ravijëzuara, ndonëse edhe nga pavetëdija, ose dëliri, kthjellja, ngarendja drejt ekuilibrit. Ngjyrat krijojnë raporte kontrastive, e herë edhe harmoni derisa (e verdha, portokalli, e kuqja) intensive lindin ngrohtësinë, nxehtësinë dhe estetikën. Ndonëse e verdha është paska e ëmbël, e pastër dhe vërehet një pedanteri e këtij krijuesi. Drita është pleneriste dhe spikat shkallëzimi tonal i ngjyrave të ngrohta dhe atyre të ftohta, por kjo në tablo pas tabloje  orvatet të vë në spikamë kompozicionin. Më tutje format e shtrira nga e verdha, e gjelbërta, indigo, janë tejet lirike, në të njëjtën kohë edhe poetike sikur në një ëndërr dashurie.

Ilir Muharremi
Kritik i Artit

[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]